Wednesday 2 May 2012

Zor pa Rose! - Kronikë amerikane

Kronikë amerikane nr.202 – 02 maj 2012

NBA

Boston dhe Philadelphia kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinaleve konferencialeve. Celtics me një çerek të katërt të shkëlqyeshëm të udhëhequr nga Paul Pierce arritën të fitojnë kundër Hawks në Atlanta, 87-80. Pierce shënoi 36 pikë dhe pati 14 kërcime, duke zgjuar kureshtjen e mediave amerikane me përkuljen e njohur në SHBA si “Tebowing” që është një veprim i popullarizuar i kuarterbekut Tim Tebow. Pierce pothuajse i vetëm solli fitoren për Boston të cilët ishin pa Rajon Rondon e suspenduar. Ai shënoi më shumë pikë se tërë skuadra e Atlantas në 15:08 minutat e fundit. Jeff Teague vodhi shoun e ndeshjes me disa bllokada dhe veprime ekzibicionale. Teague mbylli ndeshjen me 18 pikë, derisa Joe Johnson ishte më efikasi me 22 pikë të shënuara. Tek Boston kontribuan edhe Garnett me 15 dhe Bradley me 14 pikë.

Vetëm dy çerekë arritën të mbijetonin Bullsat pa Derrick Rose. 76ers arritën të fitojnë një ndeshje në udhëtim ndaj skuadrës më të mirë në Lindje duke krijuar një avantazh të rëndësishëm para tri ndeshjeve të radhës si vendas. Jrue Holliday shënoi 26 pikë, Lou Williams shtoi 20, duke u rikthyer në çerekun e tretë të cilin e mbyllën në favor të tyre, 36-14. Joakim Noah ishte më i miri tek vendasit duke shënuar 21 pikë. Pllejmejkeri rezervist John Lucas shënoi 15 pikë duke ndarë kohën në terren me zëvendësuesin e Rose, C.J. Watson i cili mbylli ndeshjen me 12 pikë.

Derisa dy ndeshjet e mbrëmshme kanë barazuar bilancin e përballjeve në 1-1, Los Angeles Lakers shkojnë në udhëtim me dy fitore ndaj Denver. Mbrëmë ata fituan 104-100 falë performancës të shkëlqyeshme të Kobe Bryant i cili shënoi plot 38 pikë. Andrew Bynum u rikthye pas dyshifrorit të trefishtë duke shënuar 27 pikë dhe 9 kërcime. Gasol ndihmoi me 13 pikë e 10 kërcime. Tek Denver, Ty Lawson shënoi 25 pikë.

Në lajme tjera nga NBA vlen të theksohet që trajneri i San Antonio Spurs, Greg Popovitch është zgjedhur trajneri më i mirë i vitit në NBA. Është titulli i dytë për trajnerin i cili drejtoi Spurs drejt bilancit më të mirë gjatë sezonit të rregullt.

NHL

New Jersey demoloi Flyers në Philadelphia duke fituar 4-1 për të barazuar serinë gjysmëfinale në 1-1. Edhe më e befasishme tingëllon kur të kemi parasysh që këtë e bën pa njërin ndër lojtarët kyç të skuadrës, Ilya Kovalchuk. Ilya Bryzgalov ndali 31 gjuajtje të mysafirëve, por megjithatë ishin katër tjera që përfunduan në portën e tij. Adam Larsson barazoi rezultatin në minutën e tretë të periudhës së tretë pas golit të vendasve me anë të Matt Read në minutën e tretë të ndeshjes. David Clarkson kaloi mysafirët në epërsi para se Travis Zajac të shënonte golin e tretë për të siguruar një avantazh të favorshëm. Bryce Salvador shënoi golin e fundit dhe të fundosjes për mysafirët në minutën e 17të kur Devils ishin me një lojtarë më pak në akull.

Kjo ishte ndeshja e vetme e mbrëmjes, derisa sonte zhvillohen dy ndeshje. Washington pret New York Rangers në ora 1:30 pas mesnate me transmetim të drejtpërdrejt në ESPN America. Nashville pret fitoren e parë në akullin e tyre ndaj Phoenix të cilët udhëheqin në seri 2-0.

MLB

Nga Miami Marlins është pritur shumë. Skuadra e riformësuar para fillimit të sezonit ka bilanc vetëm 9-14 duke qëndruar fund të AL Lindje. Megjithatë shenjat e para të mbijetesës kanë filluar të shfaqen së fundmi me performancat e mira sidomos ndaj Giants në San Francisco. Pos fitores 2-1 edhe më shpresëdhënës ishte fakti që Giancarlo Stanton ka filluar të gjej zonën duke shënuar home-run e dytë në tri ndeshjet e fundit. Ricky Nolasco fitoi për herë të tretë këtë sezon duke mposhtur hedhësin kundërshtar, Matt Cain. Heath Beth hedhi 1-2-3 (nuk lejoi asnjë goditje) në iningun e fundit për të mbrojtur rezultatin që solli fitoren e gjashtë në tetë përballjet e fundit ndaj kampionëve botëror të vitit 2010.

Austin Jackson pati një mbrëmje të shkëlqyeshme me katër goditje. Ai arriti rekordin e karrierës duke bërë produktive fushën e jashtme të Tigers sidomos pas problemeve me Delmon Young. Jackson pati 2 RBI, sa pati edhe Peralta derisa Rick Porcello shënoi fitoren e dytë këtë sezon, me Detroit që mposhti Kansas City-n 9-3.

Baltimore ofroi një dhuratë të shkëlqyeshme menaxherit të tyre, Buck Showalter. Ata i sollën fitoren e 1000 në karrierë si menaxher duke mposhtur njërën nga skuadrat më të mëdha në histori, New York Yankees, 7-1. Në të njëjtën kohë ishte kjo fitorja e parë e hedhësit të Orioles, Brian Matusz pas 11 muajve, derisa Chris Davis dhe J.J. Hardy shënuan home-run.

Kronikë Amerikane përgatitet nga Luan Morina

Rezultatet dhe renditjet

NBA

Atlanta – Boston 80-87 (1-1)

Chicago – Philadelphia 92-109 (1-1)

LA Lakers – Denver 104-100 (2-0)

NHL

Philadelphia – New Jersey 1-4 (1-1)

MLB

San Diego – Milwaukee 2-0

Toronto – Texas 8-7

NY Yankees – Baltimore 1-7

Boston – Oakland 3-5

Tampa Bay – Seattle 3-1

Houston – NY Mets 6-3

Colorado – LA Dodgers 6-7

LA Angels – Minnesota 4-0

Detroit – Kansas City 9-3

Washington – Arizona 1-5

Atlanta – Philadelphia 2-4

Chicago White Sox – Cleveland 7-2

St. Louis – Pittsburgh 10-7

San Francisco – Miami 1-2

Cincinnati – Chicago Cubs u shty