Monday 26 November 2012

Giants në stilin e kampionit!

Kronikë amerikane nr.239 – 26 nëntor 2012

NFL

Adam-Merchant1-jpg_062855 “Luani si kampion bote” ishte kërkesa e vetme e 15 vjeçarit që ishte prezent në stërvitjen e New York Giants falë një fondacioni. Ai kërkonte që kampionët aktual të ndërprisnin rënien prej 2 humbjeve radhazi dhe atë pikërisht kundër skuadrës të cilën e mposhtën në finale të konferencës NFC në rrugë për trofeun Lombardi. Giants shfaqën lojë kampioni. Ata fituan 38-10 duke grabitur Aaron Rodgersin 5 herë në 29 tentime. Rodgers pati edhe 1 interceptim dhe 1 fumble. Ai mbylli ndeshjen para kohës me 219 jard dhe 1 TD. Në anën tjetër Eli Manning arriti rekordin e skuadrës duke u bërë kuarterbeku i parë në histori të Giants me 200 TD të hedhur. Ai shtoi edhe 3 touchdown. Andre Brown pati 64 jard në depërtim për tu diagnostifikuar me këmbë të thyer pas ndeshjes. Ahmad Bradshaw shtoi 58 jard dhe 1 TD në depërtim, derisa Hakeem Nicks pati 1 TD dhe 77 jard në pranim. James Starks pati 35 jard në depërtim, ndërsa Jordy Nelson shtoi 71 jard dhe 1 TD në pranim tek Packers të cilët mbesin në pozitën e 5 në NFC që për momentin ju siguron përfundimtaret.

201211252119767887380-p2 Fitore në thellë shënuan edhe Chicago Bears. Të vendosur në njërin nga divizionet më të mira këtë sezon me Detroit, Green Bay dhe kundërshtarët e të dielës, Minnesota, ‘arushat’ po përdorin në maksimum mbrojtjen për të mbajtur pozitën e parë në Veri të NFC. Pos që ndalën Adrian Petersonin në fillim të ndeshjes, ata rikuperuan edhe 3 topa duke ngritur totalin në 33 këtë vit. Edhe pse kthyen Jay Cutler nga lëndimi dhe shënuan fitoren e parë pas dy humbjeve radhazi nga 49ers dhe Texans, ata humbën tre lojtarë për shkak të lëndimeve. Devin Hester pati tronditje, Forte lëndoi nyjën e këmbës në çerekun e tretë, derisa jashtë loje mbeti edhe mbrojtësi Charles Tillman.

Cutler mbylli ndeshjen me 188 jard dhe 1 TD, Michael Bush depërtoi për 60 jard dhe 2 TD, derisa tek mysafirët Christian Ponder hodhi për 1 TD, 1 interceptim me 159 jard në total.

156942251 Chicago ktheu kuarterbekun startues pas humbjes javën e kaluar. Këtë hap nuk e ndërmorën edhe San Francisco 49ers të cilët përdorën Colin Kaepernickun për fitoren e radhës në New Orleans. Kuarterbeku rezerv pati 231 jard dhe 1 TD të hedhur si dhe depërtoi për 1 TD shtesë. Në krye të detyrës ishte edhe mbrojtja që ktheu dy topa në touchdown me anë të Ahmad Brooks dhe Donte Whitner. Drew Brees pati 3 interceptime në total dhe u grabit 5 herë. Ai mbylli ndeshjen me 267 jard dhe 3 TD, në humbjen e tretë në shtëpi dhe të gjashtën këtë sezon të Saints.

NBA

New York Knicks nuk e dinë çka është humbja në ‘Melrose Square Garden’. Ata tani kanë pesë fitore pa asnjë humbje si vendas këtë sezon. Viktima e radhës ishin Detroit Pistons të cilët u demoluan me rezultat 121-100. Carmelo Anthony shënoi 29 pikë i ndihmuar nga Raymond Felton me 14 pikë e 10 asistime. Ndihmë e madhe erdhi nga banka rezervë ku tre lojtarë patën pikë dyshifrore me JR Smith që shtoi edhe 10 kërcime krahas 15 pikëve. Po aq pikë pati edhe veterani Rasheed Wallace, derisa Steve Novak kontribuoi me 18 pikë përfshirë 5 treshe. Tek mysafirët Brandon Knight pati 21 pikë.

San Antonios iu nevojiten dy vazhdime për të mposhtur Raptors në Toronto. Kjo shtyu pllejmejkerin francez, Tony Parker në limitet e tij me 32 pikë të shënuara, 6 nga të cilat erdhën në vazhdimin e dytë. Tim Duncan shtoi 26 pikë, ndërsa Manu Ginobili pati 15 pikë. Tek Toronto qendra debutuese lituaneze Jonas Valanciunas shënoi 22 pikë e 7 kërcime, i ndihmuar nga DeMar DeRozan që pati 29 pikë.

Deron Williams pati DD me 15 pikë e 12 asistime, përfshirë edhe 4 bllokada dhe 3 topa të vjedhur. Ai u ndihmua nga Joe Johnson me 21 pikë dhe Kris Humphries me 14 pikë e 10 kërcime në trapez, në fitoren 98-85 ndaj Portland Trail Blazers. Ndeshja e ardhshme e Nets do të jetë derbi lokal kundër New York Knicks.

Kronikë Amerikane përgatitet nga Luan Morina

Rezultatet dhe renditjet

NBA

Toronto – San Antonio 100-111 2OT

New York – Detroit 121-100

Brooklyn – Portland 98-85

Philadelphia – Phoenix 104-101

Orlando – Boston 110-116 OT

Denver – New Orleans 102-84

NFL

NY Giants – Green Bay 38-10

New Orleans – San Francisco 21-31

Arizona – St. Louis 17-31

San Diego – Baltimore 13-16 OT

Chicago – Minnesota 28-10

Indianapolis – Buffalo 20-13

Cincinnati – Oakland 34-10

Cleveland – Pittsburgh 20-14

Kansas City – Denver 9-17

Miami – Seattle 24-21

Tampa Bay – Atlanta 23-24

Jacksonville – Tennessee 24-19