Saturday 1 November 2014

MLB Postseason Review - Kronikë Amerikane nr. 274



Bum, gjigantët!
Definitivisht, kjo gjeneratë e San Francisco Giants janë dinasti që do të mbahet në mend. E kjo s’do të kaloj pa u përmendur i mahnitshmi, Madison Bumgartner. Hedhësi i Giants dominoi ndeshjet që startoi, derisa kulminacioni erdhi në ndeshjen e shtatë kur shkëlqeu edhe si ‘lehtësues’. Mbi 160 topa të hedhur për dy ditë është mbi limitet e bejsbollit të sotëm, por për Bumgartneri nuk ka limite. Nuk është ‘normale’ të kesh një ERA nën 0.50 në një seri finalesh, e lëre më tërë përfundimtaret. Ndoshta Kershaw mund të mësoj diçka nga Bumgartneri. Badihava të dominosh sezonin, Madison ka dy unaza kampionësh, Kershaw mund të ëndërroj një ndeshje përfundimtare me shtatë ininge të suksesshme pa ER.

Pa ndihmën e goditësve dhe mbrojtësve, Bumgartner dhe hedhësit tjerë s’do të ishin kampion. Derisa Bumgartner del në pah tek hedhësit, tek sulmi ishte një Pablo Sandoval që i siguroi vetes një kontratë të madhe në pas-sezon. 26 goditjet e tij janë rekord dhe shifër e pabesueshme. Në njëfarë mënyre më kujtonte Ortizin e vitit të kaluar. E me Hunter Pence pas Sandoval, Giants patën çiftin më të mirë dhe rentabil këtë passezon.

Edhe mbrojtja ishe e mirë, por topat e goditur që ndaluan Panik dhe Crawford ishin goxha shumë në numër. Të dy kontribuan me sukses edhe në renditjen e epërme të goditësve, sidomos Crawford.
Ëndrra e Royals ishte e destinuar të dështonte. Ishte një përrallë e mirë, me përfundim perfekt, ndoshta, po të vazhdonte Gordon për tek pjata. Por, edhe kështu arritën më shumë se që pritej. Me bunt dhe baza të vjedhura ishte një passezon që askush nuk e priste të zgjaste kaq shumë. Kanë goditës të mirë, startues të mirë në hedhje dhe treshen perfektë Herrera – Davis – Holland.

Më e mira e krejt kësaj finaleje të sezonit ishte që në World Series patëm dy ekipe që erdhën me Wild Card. Kjo veçse përforcon faktin që ekipet që nxehen në shtator janë më të suksesshme se ato që kanë një formë më të ndryshueshme dhe përfundimtare të siguruara qysh në gusht.

Tashti deri në mars e kemi një periudhë interesante me ‘free agency’ që nuk ka kushedi sa agjentë të mirë në sulm, por tregu i hedhësve do të jetë interesant. Pres të shoh se çfarë do të bëjnë Cubs, pasi duket se janë gatshëm të hedhin atë hapin vendimtar. Red Sox e Yankees duhet të ringjallen, derisa Dodgers pritet të shpenzojnë një pasuri të tërë, përsëri.