Tuesday 6 March 2012

Love pa dashuri për Clippers-at! 06 mars 2012


Kronikë amerikane – 06 mars 2012

NBA
Kevin Love shënoi 39 pikë dhe 17 asistime në fitoren e Minnesota Timberwolves, 95-94 ndaj Los Angeles Clippers të Blake Griffin. Ai u ndihmuar nga Darko Milicic me 13 pikë, derisa Michael Beasley shtoi 9 pikë në çerekun e fundit. Koshi i Love mbi Kenyon Martinin 1:28 minuta para fundit doli të ishte vendimtari, derisa shënoi 5 treshe gjatë tërë ndeshjes. Kevin Love shtoi edhe 9 pikë dhe katër kërcime në çerekun e fundit, dhe performanca e tij e jashtëzakonshme në ndeshjet e fundit, e ka vendosur skuadrën e tij në bilanc pozitiv me 20 fitore e 19 kërcime, duke u afruar edhe një hap më shumë drejt shpërblimit për lojtarin më të vlefshëm në sezonin e rregullt, MVP. Në anën tjetër, Blake Griffin pati 26 pikë dhe 12 kërcime, por ishte shterp në çerekun e fundit me vetëm katër pikë, 0-4 nga vija e gjuajteve të lira, dhe një faull teknik. Chris Paul pati rastin të mbyllte ndeshjen kur u faullua në tentim për tre pikë por qëlloi vetëm një gjuatje të lirë. Në fund ai pati 18 pikë, derisa Mo Williams shënoi 19 pikë. Ishte kjo humbja e tretë e Clippers nga Minnesota këtë sezon.
Fitore të ngushtë, por shumë të vlefshme shënuan edhe liderët e konferencës perëndimore, Oklahoma City. Thunder mposhtën kampionët në fuqi, Dalllasin 95-91. Ishte kjo fitorja e 13të radhazi si vendas për Oklahoma Cityn, për të cilët Russell Westbrook shënoi 24 pikë, derisa Kevin Durant shoti 22 tjera. Në përgjithësi nuk ishte një natë efektive për vendasit, Westbrook, Harden dhe Duratn ishin të tmerrshëm nga loja me vetëm 16 qëllime nga 49 tentime. Për më tepër, Durant huqi 12 nga 18 gjuajtjet e tij. Tek mysafirët më i miri ishte Dirk Nowitzki me 27 pikë të shënuara, derisa Jason Terry kontribuoi me 18 sosh. Ishte kjo përballja e fundit e këtyre skuadrave në sezonin e rregullt, me OKC që ka fituar 3 duele karshi 1 fitoreje të Mavs.
Ishte çereku i tretë kur Derrick Rose doli në skenë për të shkëputur Chicagon në ndaj Indianas. Rose mbylli ndeshjen me 13 pikë (3 treshe) dhe 9 asistime, derisa Luol Deng ishte më efikasi me 20 pikë. Në trapez kontribuoi Noah me 17 kërcime, duke shkatërruar mysafirët me totalin prej 60 karshi 32 kërcimeve të Pacers. Paul George ishte më i miri tek Indiana të cilët humbën 72-92, me 21 pikë të shënuara, derisa rezervisti George Hill shtoi 17 pikë.

NHL
Marc-Andre Fleury arriti fitoren e 35të këtë sezon, duke arritur këtë numër për të katërtën sezon radhazi falë 3 mbrojtjeve që pati kundër Phoenix mbrëmë. Pittsburgh fitoi 2-1, me mbrojtësin Zbynek Michalek i cili shënoi golin e parë që nga tetori, derisa Chris Kunitz shtoi golin e tij të 19të kët[ sezon. Kjo ishte fitorja e gjashtë rradhazi për Penguins si dhe e 10ta në 11 ndeshjet e fundit si vendas. Goli i vetëm për mysafirët erdhi nga Ray Whitney i cili shënoi golin e tij të 21të këtë sezon.


NFL
Shumëçka po ndodh ditëve të fundit në NFL. Nuk është vetëm çështja Manning, se a do të lirohet apo do të paguhet 28 milionë dollarë për sezonin e kaluar nga Colts, por gjëra të pakëndshme kanë prekur skuadrën e Saints. Sipas raporteve të mediave, kryetrajneri i New Orleans Saints, Sean Payton dhe menaxheri Mickey Loomis, janë pjesë e skandalit sipas të cilët këta dy kanë shpërblyer futbollistët për lëndimet që u kanë shkaktuar skuadrave kundërshtare përfshirë edhe ndërhyrjet e rrezikshme. Për ironi, njëra nga këto ndërhyrje dyshohet të jetë bërë edhe ndaj Peyton Manning, njërit nga kuarterbekët më të mirë në histori të futbollit amerikan, i cili ka humbur sezonin e kaluar për shkak të operimeve në qafë. NFL akoma nuk ka dal me deklaratë zyrtare lidhur me çështjen, por, ekspertët kërkojnë të gjitha llojet e mundshme të sanksionimit – dënime me para, suspendim të akterëve të involvuar (përfshirë menaxherin dhe stafin trajnues) si dhe humbjen e zgjedhjeve në Draft.
E mbrëmë në ora 22 sipas orës sonë ka skaduar afati për përdorimin e Etiketës së Franshizës (Franchise Tag). Më shumë për këtë në rubrikën Abetare amerikane më poshtë.
Janë 21 skuadra që kanë etiketuar lojtarët e tyre, derisa disa futbollistë si Mario Williams, Carl Nicks e Vincent Jackson janë agjentë të lirë dhe mund të firmosin kontrata me cilëndo skuadër që iu përshtatet atyre.
Në mesin e futbollistëve të etiketuar janë depërtuesit Matt Forte (Chicago), Ray Rice (Baltimore), pranuesit anësor DeSean Jackson (Philadelphia), Dwayne Bowe (Kansas City), Wes Welker (New England), dhe kuarterbeku i Saint, Drew Brees. Tani në NFL fillon një periudhë e gjatë e diskutimeve për kontrata si dhe Drafti i futbollistëve të rinj që do të mbahet nga 26 deri 28 prill në Nju Jork.

Abetare Amerikane
Në ligën profesioniste të futbollit amerikan, NFL, përdoret edhe një veti e quajtur franchise tag (etiketa e franshizës). Kjo etiketë mund të përdoret nga çdo skuadër (franshizë) një herë në vit dhe mund të aplikohet në një agjent të lirë të palidhur me opsionin e vazhdimit të kontratës. Kjo etiketë shërben për të lidhur lojtarin edhe për një sezon me skuadrën duke i siguruar mesataren e pagës së pesë lojtarëve më të paguar në ligë në pozitën e tij që njihet si “etiketa jo-ekskluzive” ose të ofroj 120% të pagës së vitit të kaluar të lojtarit e njohur edhe si “etiketa ekskluzive”. Gjithashtu gjatë periudhës së vlefshmërisë të “franchise tag” që zakonisht fillon në prill dhe zgjat për një vit, lojtari i etiketuar nuk guxon të negocioj me skuadra tjera, por, njëkohësisht mund të negocioj me skuadrën aktuale për të arritur eventualisht ndonjë kontratë të re.

Kronikë Amerikane përgatitet nga Luan Morina

Rezultatet dhe renditjet
NBA
Washington – Golden State 100-120
Toronto – Orlando 88-92
Chicago – Indiana 92-72
Milwaukee – Philadelphia 97-93
Minnesota – LA Clippers 95-94
Oklahoma City – Dallas 95-91
Portland – New Orleans 86-74
Denver – Sacramento 119-116 OT
Cleveland – Utah 100-109

NHL
Pittsburgh – Phoenix 2-1
Winnipeg – Buffalo 3-1
Anaheim – Edmonton 4-2

Sunday 4 March 2012

Njeriu me maskë! – 01 mars 2012


Kronikë amerikane – 01 mars 2012
Njeriu me maskë!

NBA
Kobe Bryant nuk e pati problem të bartë maskën në fytyrë pas thyerjes së hundës dhe të mposht Minnesotan, 104-85. Bryant kishte thyer hundën në ndeshjen All-Star nga një goditje bërryli të Dwayne Wade të cilin e pret një përballje jo shumë e këndshme të dielën mbrëma kur është mysafirë i Lakersave në Los Angeles. Bryant mbrëmë shënoi 31 pikë, 7 kërcime dhe 8 aisistime, përkundër maskës dhe tronditjes që kishte marrë pas thyerjes së hundës. Ai ishte i shkëlqyeshëm edhe nga vija e gjuajtjeve të lira duke qëlluar 9 nga 10 tentime. Pau Gasol shënoi 15,, e Andrew Bynum pati 13 pikë e 13 kërcime. Tek Minnesota Michael Beasley dhe Martell Webster shënuan nga 14 pikë, në mungesë të Kevin Love për shkak të gripit.
Fitore të madhe mbrëmë shënuan “demat” e Chicagos. Ata mposhtën San Antonion, në fitoren të 11 në 13 ndeshjet e fundit, dhe duke u bërë skuadra e dytë që fiton në San Antonio këtë sezon. Derrick Rose qëndroi jashtë parketit për disa minuta pas një dueli me Tony Parker. Në fund Rose pati 29 pikë, derisa Joakim Noah kontribuoi me 10 pikë e 13 kërcime. Tek vendasit, Gary Neal erdhi nga pankina për të shënuar 15 pikë në çerekun e fundit, 21 në përgjithësi, derisa Tim Duncan shënoi 18 pikë dhe pati 10 kërcime për Spurs.
Ndeshjen e parë pas All-Star mbrëmë e zhvilluan edhe Knicks-at e New Yorkut. Ata arritën të mposhtin Cleveland Cavaliers falë një lojë të shkëlqyeshme në pjesën e dytë, kryesisht nga rezervistët e skuadrës. Pas bllokimit total që pësoi kundër Miamit në ndeshjen e fundit para All-Star, Jeremy Lin u rikthye me 19 pikë e 13 asistime, derisa Carmelo Anthony shtoi 22 pikë, derisa Tyson Chandleri pati DD me 13 pikë e 15 kërcime. Nga rezervistët, Steve Novak shënoi 17 pikë, derisa Iman Shumpert kontribuoi me 12 pikë tjera. Tek mysafirtë Antawn Jamison shënoi 23 pikë e 10 kërcime, derisa Kyrie Irving kontribuoi me 22 pikë tjera.

NHL
Mapple Leafs të Torontos vazhdojnë me humbje. Ata mbrëmë u mposhtën nga Chicago 5-4, përkundër epërsisë në periudhën e parë. Blackhawks që kanë rënë nga fundi janarit nga pozita e parë në të gjashtën në Konferencën Perëndimore ndërprenë serinë negative prej 3 humbjeve radhazi. Marian Hossa shënoi në periudhën e dytë dhe në fund të ndeshjes për të siguruar fitoren e ish-kampionëve, derisa Patrick Kane kontribuoi me një gol të shënuar, gjithashtu në periudhën e dytë dhe një asistim. Dy golat tjerë për vendasit erdhën nga Andrew Shaw dhe Marcus Kruger. Për kanadezen shënuan, Bozak, Lupul, McArthur dhe Brown 4 sekonda para fundit për rezultatin përfundimtar.
Fitore të rëndësishme në udhëtim shënuan edhe “pinguinët” e Pittsburgh. Ata mposhtën Dallasin pas rikthimit në periudhën e fundit dhe saktësisë në penallti. Jamie Benn shënoi për Stars në periudhën e parë, ndërsa përgjigja erdhi nga Steve Sullivan. Souray mbylli periudhën e dytë në epërsi të vendasve, derisa Craig Adam dhe Chris Kunitz shënuan herët në periudhën e tretë për të kaluar në epërsi mysafirët, epërsi që u shkri nga Michael Ryder disa minuta më vonë. Pikërisht Ryder ishte ai që huqi penalltinë vendimtare që i solli fitoren mysafirëve.

Kronikë Amerikane përgatitet nga Luan Morina

Rezultatet dhe renditjet
NBA
Philadelphia – Oklahoma City 88-92
Washington – Orlando 95-102
Atlanta – Golden State 82-85
Boston – Milwaukee 112-96
Detroit – Charlotte 109-94
New York – Cleveland 120-103
New Orleans – Toronto 84-95
Memphis – Dallas 96-85
Denver – Portland 104-95
San Antonio – Chicago 89-96
Utah – Houston 104-83
LA Lakers – Minnesota 104-85

NHL
Dallas – Pittsburgh 3-4 SO
Chicago – Toronto 5-4
Edmonton – St. Louis 2-5
Anaheim – Buffalo 0-2

Lopez nokauton kampionët! - 29 shkurt 2012


Kronikë amerikane – 29 shkurt 2012
Lopez nokauton kampionët!

NBA
Qendra e New Jersey Nets, Brook Lopez shpërtheu kundër kampionëve aktual, Dallas Mavericks. Edhe pse mungoi më shumë se dy muaj, ai nuk kaloi shumë kohë duke u munduar të gjej formën e tij më të mirë. Lopez shënoi 38 pikë dhe pati 6 kërcime. Më së shumti në këtë drejtim Lopezit i ndihmoi kush tjetër pos plejmejkerit, Deron Williams i cili kontribuoi me 12 asistime e po aq pikë. Kontribut të madh tek mysafirët dha edhe alo-qendra, Kris Humphries që shënoi 10 pikë e 15 kërcime. Tek kampionët aktual që janë ndër favoritët për të transferuar Deron Williamsin, më i miri ishte Dirk Nowitzki me 20 pikë e 10 kërcime. Po aq kërcime pati edhe Brendan Haywood duke shtuar edhe 18 pikë.
Në terren të tyre u befasuan edhe favoritët tjerë të Perëndimit, Los Angeles Clippers. Ata u mposhtën nga Minnesota Timberwolves, 109-97. Derrick Williams dhe Michael Beasley kontribuan me nga 27 pikë, e në çerekun e fundit që doli të ishte vendimtari të dytë patën nga 13 pikë. Banka rezervë e mysafirëve pati 72 pikë, më së shumti këtë sezon në NBA, duke i lënë kohë për të pushuar pesëshes startuese,  me Kevin Love që pati 12, dhe Ricky Rubio me vetëm 2 pikë e 9 asistime. Tek vendasit, Blake Griffin kaloi 37 minuta në parket për 30 pikë, derisa Chris Paul për kohë të njëjtë shënoi 27 pikë. Qendra DeAndre Jordan kontribuoi me nga 14 pikë e po aq kërcime, por nuk mjaftuan për të mposhtur “ujqit” nga Minnesota.
Fitore të thellë në udhëtim shënuan 76shat e Philadelphias. Ata të udhëhequr nga Thaddeus Young dhe Andre Igoudala mposhtën Detroitin 97-68. Young shënoi 20 pikë e 8 kërcime, derisa Andre Igoudala pati 12 pikë, 6 asistime dhe 4 topa të vjedhur. Nuk është hera e parë që Pistons pësojnë debakël nga Philadelphia këtë sezon. Edhe dy ndeshjet e kaluara të zhvilluar në Philadelphia, Detroit ka pësuar me më shumë se 20 pikë diferencë. E mbrëmë kjo diferencë do të ishte edhe më e lartë sikur Greg Monroe të mos shënonte 20 e Rodney Stuckey 17 pikë, për humbjen e tretë radhazi pas një serie prej 7 fitoreve nga nëntë ndeshje.
Njëra ndër skuadrat më të mira në historinë e basketbollit e që këtë vit fatkeqësisht po vuan, Boston Celtics më në fund ndërprenë rrëshqitjen prej 5 humbjeve radhazi. Ata arritën të mposhtin Cavaliers me rezultat 86-83 në Quicken Loans Arena në Cleveland. Ray Allen shënoi 22 pikëm derisa Kevin Garnett shtoi 18 tjera për Bostonin që nuk arriti të ruante epërsinë prej 16 pikëve që kishin arritur në çerekun e parë. Me këtë fitore Celtics shmangën serinë prej më shumë se pesë humbjeve që për herë të fundit e kishin pasur në vitin 2007. Tek vendasit më i miri ishte Kyrie Irving me 24 pikë i cili u rikthye pas lëndimit të bërrylit.

NHL
“Peshkaqenët” e San Jose-s kishin kaluar një rrugë të vështirë javëve të fundit. Ata në 17 ditët e kaluar kanë fituar vetëm 2 ndeshje duke humbur 6 ndeshje në kohën e rregull dhe 1 në vazhdime. Ky bilanc i largoi ata nga pozita e parë në Divizionin e Paqësorit, dhe tani duket se kanë një detyrë të vështirë për të gjetur formën e duhur. Megjithatë, kjo filloi me një fitore edhe pse minimale po aq e madhe ndaj Philadlephia Phillies. Ante Niemi ishte i shkëlqyeshëm në portë duke ndalur 26 gjuajte pa lejuar asnjë gol, derisa vendasit shënuan me anë të Ryane Clowe që shënoi herët në periudhën e parë e që doli të ishte goli fitues.
Fitore minimale dhe të madhe shënuan edhe “Senatorët” e Ottawas. Ata arritën të mposhtin kampionët aktual, Bruins në Boston. Gli i vetëm erdhi nga Erik Karlsson që po shkëlqen kohëve të fundit. Por, edhe më i madh ishte kontributi i portjerit rezervist Robin Lehner që po zëvendëson Craig Andersonin e lënduar. Lehner ndali 32 gjuajtje pa pësuar asnjë gol. Edhe më shumë gjuajtje ndali Tim Thomas i vendasve, plot 37 por, jo edhe gjuajtjen e Erik Karlsson në minutën e 14të të periudhës së parë  që doli të ishte vendimtare në këtë ndeshje dhe ti sjell fitoren e parë Ottawas këtë sezon ndaj Boston pasi kanë humbur plotë 4 ndeshje. Përballja e fundit e këtyre skuadrave në stinorin e rregullt zhvillohet me 5 prill.

Kronikë Amerikane përgatitet nga Luan Morina

Rezultatet dhe renditjet
NBA
Cleveland – Boston 83-86
Indiana – Golden State 102-78
Detroit – Philadelphia 68-97
Chicago – New Orleans 99-95
Houston – Toronto 88-85
Milwaukee – Washington 119-118
Dallas – New Jersey 92-93
Sacramento – Utah 103-96

NHL
Boston – Ottawa 0-1
Toronto – Florida 3-5
Washington – NY Islanders 3-2 OT
Carolina – Nashville 4-3
Columbus – Detroit 2-5
Tampa Bay – Montreal 2-1
Minnesota – Los Angeles 0-4
Phoenix – Vancouver 2-1 SO
San Jose – Philadelphia 1-0

Perëndimi mbi Lindjen! - – 27 shkurt 2012


Kronikë amerikane – 27 shkurt 2012

NBA
Fundjava që mblodhi më të mirët në sportin e basketbollit përfundoi me fitoren e yjeve të konferencës perëndimore mbi ata të konferencës lindore. Ndeshja përfundoi me rezultat 152-149 dhe ishte përplot ekzibicione për të kënaqur syrin. MVP i kësaj ndeshjeje u shpall Kevin Durant i cili shënoi 36 pikë i ndihmuar nga Bryant me 27 dhe Griffin me 22. Chris Paul bëri punën  tij me asistime, derisa startuesi i fundit tek Perëndimi, Andrew Bynum luajti vetëm 6 minuta me tri kërcime dhe asnjë pikë. Tek Perëndimi u aktivizuan edhe Westbrook me 21 pikë, Love me 18 pikë, derisa me pikë njëshifrore nga zëvendësuesit ishin Marc Gasol, Aldridge, Nowitzki dhe Parker. Nash kaloi vetëm pesë minuta në parket pa shënuar asnjë pikë. E tek yjet e Lindjes shkëlqeu LeBron James me 36 pikë. Bashkëlojtari i tij nga Miami, Dwayne Wade shtoi 24, Anthony shënoi 19 pikë, derisa Rose kontribuoi me 14. Dwight Howard pati vetëm 9 pikë e 10 kërcime në terrenin vendas të tij. Pos 24 pikëve, Wade pati edhe nga 10 kërcime e asistime duke u bërë i vetmi me dyshifror të trefishtë në këtë natë të yjeve. As zëvendësuesit nuk qëndruan badihava. Deron Williams, i cili mund të transferohet përsëri brenda dy javëve të ardhshme shënoi 20 pikë, derisa Igoudala kontribuoi me 14. Bosh, Pierce, Hibbert dhe Rondo patën pikë njëshifrore, derisa Deng nuk shënoi për 6 minuta lojë sa qëndroi në parket.
Të shtunën në mbrëmjen e garave individuale, Kevin Love ishte më i miri në treshe duke mposhtur Kevin Durantin. Jeremy Evans nga Utah fitoi garën e ngulitjeve, derisa Tony Parker ishte më i miri në aksion.
Sonte NBA pushon, rikthehet të martën.

NHL
Dallas u rikthye nga disavantazhi 0-2, për të mposhtur nënkampionët aktual, Vancouver Canucks 3-2. Mysafirët kaluan në epërsi në fillim të periudhës së dytë me golin e Ryan Kesler, derisa epërsia u dyfishua me anë të Mason Raymond. Ringjallja e Stars nisi pak para fundit të periudhës së dytë kur shënoi Michel Ryder. Mike Ribeira barazoi rezultatin 1 minutë para fundit të ndeshjes, derisa Loui Eriksson shënoi në minutën e tretë të kohës shtesë. Fitore si vendas shënoi edhe Pittsburgh. Penguins mposhtën Columbusin që para kësaj ndeshjeje kishte mposhtur Detroitin. Rezultati përfundimtar ishte 4-2. Rick Nash i cili është afër transferimit nga Columbus shënoi në mesin e periudhës së dytë, për të barazuar Evgeni Malkin në minutën e fundit të kësaj periudhe. Pascal Dupuis, Kris Letang, e Joe Vitale shënuan për vendasit në periudhën e tretë para golit të Vinny Prospal për mysafirët.

Kronikë Amerikane përgatitet nga Luan Morina

Rezultatet dhe renditjet
NBA
Lindja – Perëndimi 149-152

NHL
New Jersey – Tampa Bay 3-4
Pittsburgh – Columbus 4-2
Dallas – Vancouver 3-2 OT
Ottawa – NY Islanders 5-2
Florida – Montreal 4-2
Minnesota – San Jose 4-3
Anaheim – Chicago 3-1