Monday 6 April 2015

Kronikë Amerikane nr. 280 – Kthimi i PG

Kronikë Amerikane nr. 280 – Kthimi i PG (e hënë, 6 prill 2015)

NBA
Njëri nga lojtarët më të mirë në ligë, Paul George për herë të parë këtë sezon u shfaq në parket. 13 pikë nuk janë kushedi çfarë kontributi, por prania e tij në terren, pos për bashkëlojtarët është edhe një shenjë pozitive për fansat e përgjithshëm të basketbollit. Rose po vuan lëndimin me vite, Durantin e kemi humbur për një kohë të gjatë, Bryant ngjashëm dy vite po ka probleme, Nash u pensionua për të njëjtën arsye, derisa Griffin kohë pas kohe po mbetet jashtë. Është një periudhë brengosëse.
Sidoqoftë, kthimi i PG është një shenjë e mirë dhe një shtytje shtesë për Indianan për të provuar përfundimtaret. Jo që do të ketë ndonjë titull apo sukses, por thjesht një periudhë më e gjatë rehabilitimi me lojën për George. Ndërkohë Heat besoj që do të mbeten në përfundimtare. Tani që përmenda Heat, mu kujtua edhe rasti i Bosh i cili për shkaqe shëndetësore është jashtë këtë sezon.
Në OK kishim përbllajen ndërmjet dy favoritëve për MVP. Hardeni i shënoi 41 pikë dhe fitoren, derisa Russell duhet të kënaqet me TD, por edhe të brengoset që do të mbeten jashtë përfundimtareve. Qyshdoqoftë kjo periudhë pa Durant e ka kalitur Westbrookun në lider të ekipit duke i siguruar edhe shumë vite në OKC.
Fitorja e Cleveland ndaj Chicagos vetëm se rikonfirmon se si do të jetë rezultati i përfundimtareve në Lindje.
Derisa humbja e Warriors nga San Antonio na tregon se sa të rrezikshëm janë Spurs me të ardhur pranvera. Përkundër pozitës në renditje, Spurs për mua mbeten ndër favoritët kryesor në Perëndim.

MLB
Ngjashëm siç qëndronte pjesa përballë bazës në ‘Wrigley’s Field’, ashtu pritet të jetë ky sezon i Cubs – në rindërtim. Por, një hap më afër përfundimit do të jetë ky sezon. Cardinals si zakonisht mbetet ndër më të mirët në ligë, por punët nuk janë keq në NL Central. Nuk besoj që do të mbeten dominues sikur para disa viteve.
Është një ndjenjë e mirë që më në fund është kthyer bejsbolli. Vërtetë ka qenë një periudhë jo e mirë për fansat e sporteve amerikane, sidomos që nga përfundimi i NFL.

NHL

Lëndimi i Paciorettyt vetëm sa do të lëndoj ecurinë e Canadiens. Kanë humbur shumë ndeshje palidhje javën e kaluar duke rënë mbrapa Rangers, kundër të cilëve epërsia e terrenit vendas është thelbësore. Por, Montreal duhet ti frikësohet Tampa Bay të cilët i kanë mposhtur çdo ndeshje sivjet. Do të jetë e çuditshme po mbetën ndonjëri nga Boston e Detroit jashtë përfundimtareve. Pittsburgh më duken më të sigurt.