Tuesday 6 March 2012

Love pa dashuri për Clippers-at! 06 mars 2012


Kronikë amerikane – 06 mars 2012

NBA
Kevin Love shënoi 39 pikë dhe 17 asistime në fitoren e Minnesota Timberwolves, 95-94 ndaj Los Angeles Clippers të Blake Griffin. Ai u ndihmuar nga Darko Milicic me 13 pikë, derisa Michael Beasley shtoi 9 pikë në çerekun e fundit. Koshi i Love mbi Kenyon Martinin 1:28 minuta para fundit doli të ishte vendimtari, derisa shënoi 5 treshe gjatë tërë ndeshjes. Kevin Love shtoi edhe 9 pikë dhe katër kërcime në çerekun e fundit, dhe performanca e tij e jashtëzakonshme në ndeshjet e fundit, e ka vendosur skuadrën e tij në bilanc pozitiv me 20 fitore e 19 kërcime, duke u afruar edhe një hap më shumë drejt shpërblimit për lojtarin më të vlefshëm në sezonin e rregullt, MVP. Në anën tjetër, Blake Griffin pati 26 pikë dhe 12 kërcime, por ishte shterp në çerekun e fundit me vetëm katër pikë, 0-4 nga vija e gjuajteve të lira, dhe një faull teknik. Chris Paul pati rastin të mbyllte ndeshjen kur u faullua në tentim për tre pikë por qëlloi vetëm një gjuatje të lirë. Në fund ai pati 18 pikë, derisa Mo Williams shënoi 19 pikë. Ishte kjo humbja e tretë e Clippers nga Minnesota këtë sezon.
Fitore të ngushtë, por shumë të vlefshme shënuan edhe liderët e konferencës perëndimore, Oklahoma City. Thunder mposhtën kampionët në fuqi, Dalllasin 95-91. Ishte kjo fitorja e 13të radhazi si vendas për Oklahoma Cityn, për të cilët Russell Westbrook shënoi 24 pikë, derisa Kevin Durant shoti 22 tjera. Në përgjithësi nuk ishte një natë efektive për vendasit, Westbrook, Harden dhe Duratn ishin të tmerrshëm nga loja me vetëm 16 qëllime nga 49 tentime. Për më tepër, Durant huqi 12 nga 18 gjuajtjet e tij. Tek mysafirët më i miri ishte Dirk Nowitzki me 27 pikë të shënuara, derisa Jason Terry kontribuoi me 18 sosh. Ishte kjo përballja e fundit e këtyre skuadrave në sezonin e rregullt, me OKC që ka fituar 3 duele karshi 1 fitoreje të Mavs.
Ishte çereku i tretë kur Derrick Rose doli në skenë për të shkëputur Chicagon në ndaj Indianas. Rose mbylli ndeshjen me 13 pikë (3 treshe) dhe 9 asistime, derisa Luol Deng ishte më efikasi me 20 pikë. Në trapez kontribuoi Noah me 17 kërcime, duke shkatërruar mysafirët me totalin prej 60 karshi 32 kërcimeve të Pacers. Paul George ishte më i miri tek Indiana të cilët humbën 72-92, me 21 pikë të shënuara, derisa rezervisti George Hill shtoi 17 pikë.

NHL
Marc-Andre Fleury arriti fitoren e 35të këtë sezon, duke arritur këtë numër për të katërtën sezon radhazi falë 3 mbrojtjeve që pati kundër Phoenix mbrëmë. Pittsburgh fitoi 2-1, me mbrojtësin Zbynek Michalek i cili shënoi golin e parë që nga tetori, derisa Chris Kunitz shtoi golin e tij të 19të kët[ sezon. Kjo ishte fitorja e gjashtë rradhazi për Penguins si dhe e 10ta në 11 ndeshjet e fundit si vendas. Goli i vetëm për mysafirët erdhi nga Ray Whitney i cili shënoi golin e tij të 21të këtë sezon.


NFL
Shumëçka po ndodh ditëve të fundit në NFL. Nuk është vetëm çështja Manning, se a do të lirohet apo do të paguhet 28 milionë dollarë për sezonin e kaluar nga Colts, por gjëra të pakëndshme kanë prekur skuadrën e Saints. Sipas raporteve të mediave, kryetrajneri i New Orleans Saints, Sean Payton dhe menaxheri Mickey Loomis, janë pjesë e skandalit sipas të cilët këta dy kanë shpërblyer futbollistët për lëndimet që u kanë shkaktuar skuadrave kundërshtare përfshirë edhe ndërhyrjet e rrezikshme. Për ironi, njëra nga këto ndërhyrje dyshohet të jetë bërë edhe ndaj Peyton Manning, njërit nga kuarterbekët më të mirë në histori të futbollit amerikan, i cili ka humbur sezonin e kaluar për shkak të operimeve në qafë. NFL akoma nuk ka dal me deklaratë zyrtare lidhur me çështjen, por, ekspertët kërkojnë të gjitha llojet e mundshme të sanksionimit – dënime me para, suspendim të akterëve të involvuar (përfshirë menaxherin dhe stafin trajnues) si dhe humbjen e zgjedhjeve në Draft.
E mbrëmë në ora 22 sipas orës sonë ka skaduar afati për përdorimin e Etiketës së Franshizës (Franchise Tag). Më shumë për këtë në rubrikën Abetare amerikane më poshtë.
Janë 21 skuadra që kanë etiketuar lojtarët e tyre, derisa disa futbollistë si Mario Williams, Carl Nicks e Vincent Jackson janë agjentë të lirë dhe mund të firmosin kontrata me cilëndo skuadër që iu përshtatet atyre.
Në mesin e futbollistëve të etiketuar janë depërtuesit Matt Forte (Chicago), Ray Rice (Baltimore), pranuesit anësor DeSean Jackson (Philadelphia), Dwayne Bowe (Kansas City), Wes Welker (New England), dhe kuarterbeku i Saint, Drew Brees. Tani në NFL fillon një periudhë e gjatë e diskutimeve për kontrata si dhe Drafti i futbollistëve të rinj që do të mbahet nga 26 deri 28 prill në Nju Jork.

Abetare Amerikane
Në ligën profesioniste të futbollit amerikan, NFL, përdoret edhe një veti e quajtur franchise tag (etiketa e franshizës). Kjo etiketë mund të përdoret nga çdo skuadër (franshizë) një herë në vit dhe mund të aplikohet në një agjent të lirë të palidhur me opsionin e vazhdimit të kontratës. Kjo etiketë shërben për të lidhur lojtarin edhe për një sezon me skuadrën duke i siguruar mesataren e pagës së pesë lojtarëve më të paguar në ligë në pozitën e tij që njihet si “etiketa jo-ekskluzive” ose të ofroj 120% të pagës së vitit të kaluar të lojtarit e njohur edhe si “etiketa ekskluzive”. Gjithashtu gjatë periudhës së vlefshmërisë të “franchise tag” që zakonisht fillon në prill dhe zgjat për një vit, lojtari i etiketuar nuk guxon të negocioj me skuadra tjera, por, njëkohësisht mund të negocioj me skuadrën aktuale për të arritur eventualisht ndonjë kontratë të re.

Kronikë Amerikane përgatitet nga Luan Morina

Rezultatet dhe renditjet
NBA
Washington – Golden State 100-120
Toronto – Orlando 88-92
Chicago – Indiana 92-72
Milwaukee – Philadelphia 97-93
Minnesota – LA Clippers 95-94
Oklahoma City – Dallas 95-91
Portland – New Orleans 86-74
Denver – Sacramento 119-116 OT
Cleveland – Utah 100-109

NHL
Pittsburgh – Phoenix 2-1
Winnipeg – Buffalo 3-1
Anaheim – Edmonton 4-2

No comments:

Post a Comment