Thursday 21 May 2015

Kronikë Amerikane nr. 281 – Perimetri i finaleve


Me lëndimin e Dwight Howard mund të themi me të sigurt që finalistët e këtij edicioni nëpër konferenca do të përcaktohen nga loja e perimetrit. Asnjëri nuk ka trapez të fortë, dyshe siç ishte për shembull rasti i Clippers. Të gjitha e kanë nga një qendër dhe një 4sh që zakonisht më shumë preferon perimetrin se sa trapezin. Fakti që të gjithë finalistët kanë qenë në Top 5 skuadrat me më së shumti treshe të shënuara gjatë stinorit, vetëm sa e nxit këtë qëndrim. Sidoqoftë, kjo u dëshmua në dy ndeshjet e para finale

Warriors - Rockets
Kjo përballje më shumë është edhe një duel i drejtpërdrejtë për MVP-në e vërtetë të këtij viti. Curry duhet të dëshmoj që e meriton këtë çmim, ngjashëm si Harden që duhet të dëshmoj se e ka merituar këtë çmim. Curry shënoi më shumë pikë, dhe 6 treshe, por Harden ishte vetëm një asistim lart TD. Houston pati një epërsi të cilën e humbi për shkak të vendimeve të gabuara taktike – dërgimin e topit tek Jason Terry i plakur i cili me dy treshe në çerekun e dytë do të krijonte një epërsi +20. Fakti që Ariza dhe sidomos Smith kanë gjetur një formë të shkëlqyeshme i jep shpresa Rockets, shpresa që veniten me të madhe në lëndimin e D12.

Bogut kaloi vetëm 16 minuta në lojë pa asnjë pikë. Ezeli pati 11 minuta dhe 6 pikë. Warrios luajtën pa qendër klasike. Green e Barnes po bëjnë punë të mirë në 4 dhe 5, duke i krijuar hapësirë më të madhe Thompsonit dhe Curryt. Tre të parët të gjithë patën pikë dyshifrore, ndihmuar edhe nga Livingston. Mbrojtja në perimetër ishte shumë domethënëse për vendasit, si dhe pozicionimi në mbrojtje.

Duket se do të jetë një seri e gjatë, por pikëpyetja më e madhe është që nëse nuk mund të fitojnë Rockets me Hardenin e triple-double dhe me Howardin për tre çerekë, kur mund të fitojnë?

Hawks – Cavaliers
JR Smith ishte diferenca. Dhe performanca e tij në ndeshjen e parë vetëm sa zgjeroi plagët e Knicks pas debaklit në Draft Lottery. Tetë treshe dhe 28 pikë në total ishin më shumë se që do të prisnim nga Smith. Thjesht qëllonte nga kudo, sikur të ishte Kyle Korver. 3shi i Atlantës pati vetëm 2 treshe, me dy tjera të ardhura nga Carroll e Teague. 27 pikët e këtij të fundit nuk ishin të mjaftueshme, sidomos pas performancës tmerruese të Carroll i cili pati vetëm 5 pikë – 12 më pak se mesatarja e tij në përfundimtare këtë sezon.

Dellavadova nuk pati asnjë pikë, dhe vetëm tri asistime, duke mbetur në hije të Smith. Vetëm tre rezerva angazhoi Blatt. James pati bajagi pikë, mirëpo edhe ngutej në disa raste. Kjo shihet me faktin se pati nën 50% precizitet. Por, jo vetëm perimetri ishte në nivel tek mysafirët. Mozgov dhe Thompson patën 21 kërcime, 24 pikë dhe 12 asistime së bashku duke qenë shumë më të mirë se Horford e Millsap. Dyshja e trapezit të Atlantës pati 14 kërcime, 29 pikë dhe 5 asistime. Po me Love?


Cavs shfaqën dobësitë e Hawks si ekip dhe mungesën e lojës në perimetër, precizitetit më saktë. Kam frikë se kjo seri mund të përfundoj shumë shpejt, por edhe nuk besoj që Smith mund të prodhoj të njëjtin efikasitet çdo ndeshje. 

No comments:

Post a Comment