Friday 12 August 2011

Fillon futbolli amerikan!


Kronikë amerikane – 12 gusht 2011

NFL
Shumë peripeci, diskutime, fajësime e shumë gjëra të ngjashme kanë ndodhur gjatë 5 muajve të kaluar për të shijuar futbollin e mbrëmshëm. Edhe pse është vetëm para-stinori stadiumet dhe shikuesit ishin të etur për futboll. Shumë gjëra do të sqarohen si, zgjedhja e liderëve, kuarterbekëve (çerekmbrojtësve) në shumë skuadra, përshtatja e transferimeve të reja, përgatitja e tyre fizike gjatë kampeve të shkurtra në krahasim me vitet e kaluara etj.
“Skuadra e ëndrrave” e Philadelphia Eagles filloi para-stinorin me fitore ndaj Baltimore Ravens. Michael Vick pati 4 nga 7 hedhje të suksesshme përfshirë edhe një touchdown tek Celek. Çerekmbrojtësi (QB) rezervë Kafka pati 13 pasime të sakta përfshirë 132 jarde. Edhe tek Ravens QB rezervë ishte më i suksesshëm se startuesi, Taylor pati 19 pasime me 179 jarde por edhe 2 ndërprerje. Ndeshja përfundoi 13-6 për Eagles, skuadër për të cilën debutoi edhe qendërmbrojtësi Nnadmi Asomugha.
Tek Denver gjithçka ka të bëj me QB-të. Horton, Tebow, Quinn, asgjë nuk është sqaruar akoma edhe pse Horton akoma është lideri, por mbrëmë nuk pati shumë suksese kundër Dallas Cowboys. Ish-zgjedhja e parë në draft Tim Tebow pati 6 nga 7 pasime të suksesshme me 91 jarde. Quinn, që për momentin është QB i tretë në skuadër pati 120 jarde, 1 TD, dhe 8-14 në pasime. Tek vendasit startuesi Tony Romo pati bilan 3-5në pasime me 33 jarde, por ishte rezervisti McGee që përmbysi rezultatin 15 sekonda para fundit nga 16-23, me një pasim për TD dhe konvertim 2pikësh, në 24-23 për të bërë më interesante këtë parasezonë.
Tek Patriots kishte shumë ngazëllim për dyshen Brady-Ochocinco, por trajneri nuk vendosi ti fus në lojë ata mbrëmë. Megjithatë kjo nuk u pengoi vendasve të fitojnë 47-12 kundër Jacksonville Jaguars. Hoyer pati 15 pasime dhe 171 jard, ndërsa Mallet kishte 12 pasime e 164 jard. Të dy shënuan nga një TD. Të suksesshëm ishin edhe mbrojtësit depërtues të Pats, Ridley që pati 16 jard depërtim, 64 pranim, 2 TD, dhe një TD të pranuar. Medlin pati 14 jard depërtim, 54 pranim dhe gjithashtu 2 TD. Tek mysafirët kureshtja ishte tek QB debutues Blaine Gabbert i cili e filloi për mrekulli lojën, por duke kaluar koha filloi të ndalej nga mbrojtja vendase. Në fund ai pati 9 pasime për 85 jard, ndërsa QB tjetër Bouman pati vetëm 2 nga 10 pasime të suksesshme, 35 jard, dhe një ndërprerje. Fansat e New England duhet të presin një ditë tjetër për të parë më shumë aksion nga dyshja e tyre Tom Brady – Chad Ochocinco.


MLB
Curtis Granderson arriti në 32 home-run këtë sezone, përfshirë serinë prej 4 home-run në ndeshjet e fundit kundër Los Angeles Angels. New York Yankees fituan ndeshjen 6-5. Robinson Cano pati grand-slam për Yankees për të ngritur epërsinë në 6-2, por hedhësi zëvendësues Mariano Rivera edhe njëherë shfaqi formën e tij jo të mirë duke lejuar mysafirët për tri pikë në iningun e parafundit. Është hera e tretë në karrierë që ai lejon 3 home-run në 3 ndeshje radhazi. Për më tepër ishte fushori i majtë Gardner që shpëtoi Yankeet nga barazimi i rezultatin në iningun e fundit kur kapi një top në territorin e gabuar në anën e majtë.
Tigers dhe Indians vazhdojnë të luftojnë për pozitën e parë në AL Qendër. Justin Verlander hodhi 7 iningje për të shënuar fitoren e 17 këtë sezone që e bën hedhësin më të mirë në MLB, dhe njëri nga kandidatët kryesor për shpërblimin CY Young për hedhësin më të mirë. Ai lejoi vetëm 3 goditje dhe 3 pikë, duke shënuar edhe 10 strikeout. Për Verlander kjo fitore pati edhe një rëndësi shtesë pasi ishte fitorja e 100 në karrierën e tij. Tek mysafirët Santana goditi vetëm një herë, dhe atë për home-run e 18 këtë sezone. Me këtë fitore Detroit vazhdon të mbetet në krye të dizionit qendror në Ligën Amerikane, 3 ndeshje para Cleveland.


Golf
Tiger Woods nuk ka fituar asgjë nga viti 2008. Që nga atëherë ka qenë “ferr” i tmerrshëm për legjendën e golfit. Të enjten, në ditën e parë të PGA Championship, turneu major i fundit për këtë vit, ai pati 77 goditje duke përfunduar në +7 prej par. Ai nisi ditën shkëlqyeshëm por 9 vrimat e dyta ishin rënie e lirë për Woods. Ai pati 4 birdie, 5 bogey, dhe 3 double bogey dhe padyshim do të ketë problem të siguroj pjesëmarrjen në fundjavë edhe pse ndoshta rezultati +2 mund ti ndihmonte pasi shumica e pjesëmarrësve të njohur nuk kishin ditë kushedi sa të suksesshme. Adam Scott pati -1, Luke Donald  dhe Rory McIlroy përfunduan në parë, ndërsa Phil Mickelson u rendit i 36ti me +1. Në krye pas ditës së parë pa asnjë bogey gjendet Steve Stricker me -7.
Kronikë Amerikane përgatitet nga Luan Morina



Rezultatet dhe Renditjet
NFL
Oakland – Arizona 18-24
Dallas – Denver 24-23
San Diego – Seattle 17-24
New England – Jacksonville 47-12
Philadelphia – Baltimore 13-6

MLB
Tampa Bay – Kansas City 4-1
NY Mets – San Diego 2-3
Cincinnati – Colorado 2-1
Toronto – Oakland 3-10
NY Yankees – LA Angels 6-5
Baltimore – Chicago White Sox 3-6
Cleveland – Detroit 3-4
St. Louis – Milwaukee 5-2
Arizona – Houston 8-5 F/10


Golf
1. Steve Stricker     -7
2. Jerry Kelly           -5
3. Anders Hansen   -3
-. Shaun Michael     -3
-. Scott Verplank     -3



No comments:

Post a Comment