Friday 19 October 2012

Eliminohen Yankees, LeBron tek Lakers?!

Kronikë amerikane nr.221 – 19 tetor 2012

MLB

Tigers-finalistTigrat e Detroit kanë ‘pastruar’ Yankeet duke i mposhtur në serinë finale të Ligës Amerikane me rezultat 4-0. Ndeshja e fundit, mbrëmë në Detroit, u mbyll me rezultat të thellë, 8-1 për vendasit. Miguel Cabrera, Jhonny Peralta e Austin Jackson shënuan home-run për vendasit, derisa Max Scherzer ishte i mahnitshëm në hedhje duke larguar 10 veta me strikeout dhe lejoi vetëm 1 pikë për 5.2 ining. Yankees nisën ndeshjen pa Alex Rodriguez dhe Curtis Granderson të cilët u inkuadruan si goditës rezervë më vonë por nuk arritën të ndryshojnë rezultatin. Hedhësi CC Sabathia, shpresa më e madhe për mbijetesë e mysafirëve duroi për vetëm 3.2 ining në lojë duke lejuar 11 goditje 6 pikë dhe 2 home-run.

Është një eliminim dëshpërues për njërën nga organizatat sportive më të pasura në botë, e edhe më të rëndë këtë gjendje e bën forma e dobët e yjeve kryesore të skuadrës si Rodriguez, Cano, e Granderson gjatë finaleve të sezonit. Rodrigues ka edhe 5 vite kontratë ku pritet të përfitojë më shumë se 125 milionë dollarë, por së fundmi qarkullojnë zëra për një transferim të tij tek Miami Marlins.

Kundërshtari i Detroit mund të mësohet qysh sonte. Cardinals tani udhëheqin ndaj Giants me rezultat 3-1 në ndeshje pas fitores me të njëjtin rezultat mbrëmë në St. Louis, 8-1. Matt Holliday, Yadier Molina e Jason Jay shënuan nga 2 RBI derisa Kozma dhe Craig kontribuan edhe me 1 RBI për të vulosur humbjen e mysafirëve nga San Franciscos të cilët patën vështirësi të godasin topat e hedhur nga Adam Wainwright. Wainwright kaloi 7.0 ining në hedhje duke lejuar vetëm 1 pikë, dhe atë homerin e vetëm në ndeshje të Hunter Pence. Ai gjithashtu largoi 5 veta me strikeout derisa lejoi katër goditje të Giants.

Tek kampionët e parafundit, Tim Lincecum po kalon sezonin më të dobët si startues në pesë vitet e fundit. Ai për 4.2 ining lejoi 6 goditje dhe 4 pikë derisa pati nga 3 strikeout dhe ecje. Kontos dhe Mota lejuan edhe nga dy pikë tjera për të rrezikuar eliminimin në ndeshjen e gjashtë kur do të hedhin Barry Zitto dhe Lance Lynn.

NFL

Frank-GoreFrank Gore depërtoi për 131 jard duke riaktivizuar armën kryesore të 49ers në fitoren mjaft të ngushtë ndaj Seattle Seahawks, 13-6. Alex Smith hodhi për 1 TD, të vetmin në ndeshje, dhe pati 1 interceptim në 140 jard, derisa hiq më i suksesshëm nuk ishte as kuarterbeku mysafir, Russell Wilson i cili arriti të realizoj vetëm 9 pasime nga 23 tentime për 122 jard dhe 1 intercepim. Smith ishte pak më i suksesshëm ku nga po aq tentime pati 14 pasime të kompletuara.

Ndeshja u karakterizua nga dy mbrojtje të fuqishme dhe sulm me anë të depërtimeve. Mysafirët patën 4 grabitje derisa vendasit plotë 9 sosh. Marshawn Lynch depërtoi 19 herë për 103 jard tek mysafirët derisa pos Gore me 131 jard, vendasit përdorën edhe Kendall Hunter i cili depërtoi 9 herë për 31 jard. Gore ishte më i miri edhe në pranim tek vendasit me 51 jard derisa TD i vetëm u pranua nga Delanie Walker kah fundi i çerekut të tretë. Tek mysafirët në pranim u veçua Ben Obomanu me 50 jard derisa Sidney Rice pati 32 jard në vetëm 2 topa të pranuar.

NBA

Disa thashetheme që janë shfaqur mbrëmë kanë bërë bum në mediat amerikane dhe ato ndërkombëtare. Sipas analistëve të ESPN, Lakersat, të cilët kanë bërë një mori blerjesh të mëdha këtë verë me Steve Nash dhe Dwight Howard, përgatiten të sjellin basketbollistin më të mirë në botë për momentin, LeBron James.

James ka një klauzolë që e lejon të largohet nga Miami pas këtij sezoni, derisa shihet si zëvendësuesi perfekt i Kobe Bryant, për të cilin dyshohet se do të pensionohet pas dy sezoneve, në vitin 2014.

Të gjitha këto për momentin janë vetëm supozime të analistëve, megjithatë një argument i fortë që mbron këto thashetheme janë kapakët e pagave, sidomos ai i Heat, i cili nuk mund të ‘duroj’ edhe një kontratë të re të treshes Bosh-James-Wade, dhe njëri nga ta do të largohet nga skuadra pas skadimit të kontratave aktuale, pos nëse Pat Riley arrin të bëj ndonjë mrekulli me ‘kapakun e kontratave’.

Rezultatet dhe renditjet

MLB

Detroit – NY Yankees 8-1 (4-0 në seri)

St. Louis – San Francisco 8-1 (3-1 në seri)

NFL

San Francisco – Seattle 13-6

No comments:

Post a Comment