Tuesday 30 September 2014

MLB Postseason Preview - Kronikë Amerikane nr. 273



Sonte nisin ndeshjet e para Wild Card, që dorën në zemër, më mirë do të ishte sikur të mos ishin fare. Një lojë dhe në shtëpi, pra njëfarë mënyrë është sikur një shpresë iluzioni, shterpë për një tetor të gjatë. Një shpresë për të eliminuar sonte A’s dhe Pirates, që kanë qenë gjatë gjithë sezonit më të mirë se Royals dhe Giants.

American League
A’s kanë vendosur të shkojnë në gjithçka apo asgjë. Do të përfundojnë me asgjë. Është e pamundur që goditësit të rikuperohen e të gjejnë pikët, derisa hedhësit janë në formë katastrofale. Shpresat janë tek Lester që nis sonte ndeshjen vendimtare dhe Samardzija. Nëse eventualisht njëri nga Kazmir dhe Gray e gjen formën e pjesës së parë të sezonit, dhe me një shtytje emocionale ndoshta mund të bëjnë diçka, pse jo edhe të befasojnë Angels nëse kalojnë Royals.
Në anën tjetër Royals janë në qejf pas rikthimit në përfundimtare për herë të parë nga 1985. Shields nis ndeshjen vendimtare duke qenë arma kryesore për ta. Mund të befasojnë edhe këta Angels.
Pse Angels të befasohen? Kanë pasur një sezon të mirë, sidomos në pjesën e dytë, por superioriteti i tyre vihet në pah edhe fal rënies së lirë të Oakland, dhe një divizioni mediokër me Texas e Astros. Hedhja mund të jetë problem, pasi kanë humbur Richardsin, derisa Shoemaker nuk është në qejf kohëve të fundit.
Orioles dhe Tigers mbeten favoritët kryesor. Nëse arrijnë të mposhtin njëra-tjetrën pa pasur nevojë për shtatë ndeshje atëherë fituesi do të jetë favoriti kryesor për titull.
Mendoj që Detroit ka shanse para Baltimore Orioles, përkundër vuajtjeve të Verlander dhe së fundmi edhe të Porcellos që ka pasur disa lemza. Në goditje janë mirë, kanë përvojë dhe motivim shtesë për të fituar. Por, mund tu përsëritet fati i Ron Washington dhe Texas.
Baltimore kanë hedhës të mirë në Bud Norris e Chris Tillman. Por, kanë edhe mungesa në goditës me dënimin e Davis, dhe lëndimet e Machados dhe Wieters. Vështirë të mbijetojnë në përfundimtare ku nevojitet konsistencë. 

National League
Dodgers duhet të fitojnë jo vetëm National League. E kanë Clayton Kershaw, Zack Greinke, e Ryu, e kanë edhe goditës si jashtë edhe brenda. Janë skuadra e përkryer për titull, dhe shumica presin një finale lokale ndaj Angels.
Por, NL nuk është për tu hedhur poshtë. Giants mund të befasojnë pasi kanë skuadër të mirë, si në hedhje, si në goditje. Mungesa e Crawford nuk mund ti lëndoj, as ajo e Cain. Pengesa e parë është mposhtja e Pirates të cilët rikthehen në përfundimtare me përvojën, qoftë edhe minimale nga viti i kaluar.
Momenti është tek Nationals. Kanë gjetur formën e tyre, dhe mund të dominojnë lehtë këtë ligë. Shtatori ka qenë muaj i mirë për ta, dhe kundër Pirates mund ta kenë më lehtë se kundër Giants.
Nëse Giants tejkalojnë Wild Card, e tërë liga do tu frikësohet.
Cardinals... kanë gjithçka që nevojitet, mirëpo nuk dëshirojmë të flasim për ta si fans të skuadrës dëshpëruese të Brewers.
Luan Morina

No comments:

Post a Comment