Thursday 11 September 2014

NFL W1 Review (1)



Kronikë Amerikane nr. 270 – 11 shtator 2014

Pittsburgh – Cleveland 30-27

Steelers luajtën si ekip kampionësh pjesën e parë të ndeshjes. Dominuan Cleveland në çdo aspekt. Dhe ndoshta kjo iu dha vetëbesim që e morën aq lehtë pjesën e dytë me penallti qysh në aksionin e parë. Penalltitë dëmtuan Steelersat, sidomos penalltitë në fazën ofanzive, si rasti i shqelmit të Antonio Brown që vërtetë ishte i panevojshëm.  

Me Brown e Bell, Steelers kanë dy armë tepër të forta në sulm. Të dy patën TD dhe mbi 100 jardë që mjaftuan për fitoren e parë, por në përballje tjera më të vështira duhet të aktivizohen edhe pjesa tjetër e skuadrës, sidomos në depërtim. Blount është alternativë e mirë, sidomos në zonën finale për TD. Në pranim gjërat do të jenë në rregull nëse Wheaton arrin të jetë po aq produktiv sa kundër Cleveland.
Por, dështimi i mbrojtjes në pjesën e dytë, që lehtësisht çahej nga depërtuesit e Browns, West, Crowell dhe Tate është gjë që duhet të sanohet. Shazier pati disa ndalime të mira në mbrojtje për Steelers, derisa vija e parë do të duhej të ishte më e mirë.
Tek Browns, bash kjo vijë e udhëhequr nga Pat Kruger doli në pah në pjesën e dytë. Tre ‘sack’ ndaj një gjiganti si Roethlisberger nuk janë pak. Pajtohem me qëndrimin e Browns për startin e Hoyer. Pati pak probleme në pjesën e parë, por u këndell në pjesën e dytë. Nuk pati asnjë interceptim, që është gjë pozitive në 230 jardë dhe 1 TD. Megjithatë efiçenca më e mirë në të 3tat do të shpërblehej me fitore sigurisht. Pati vetëm 2 konvertime nga 11 raste.
Pa Gordonin, pranimi nuk ishte në nivel. Hawkins pati 87 jardë i ndihmuar nga Cameron që shtoi edhe 47 jardë para se të largohej me lëndim. Nëse Cameron nuk kthehet, me Gordonin e dënuar për tërë vitin, e gjithashtu edhe Tate u largua i lënduar, Browns do të kenë probleme në ofensivë javën e ardhshme. Impresionues ishte angazhimi i Jimmy Dray, derisa Benjamin dhe Gabriel ishin alternativa të mira. Por, më çudit fakti që shumë pak u targetua veterani Miles Austin. 
Depërtimi ishte i shkëlqyeshëm me angazhimin e West, Tate, e Isaiah Cromwell që pati dy TD. 
Nëse Cleveland arrin, përkundër mungesave, të mbetet më pak se -10 ndaj Saints në ndeshjen e ardhshme do të ishte sukses për ta. Ndërkohë Pittsburgh duhet të luaj të katër çerekët ndaj Baltimore, jo të flej në 25 minutat e fundit siç bëri ndaj Browns.


Baltimore – Cincinnati 16-23

Andy Dalton këtë vit paguhet 9 milionë dollarë. Joe Flacco 14.8 milionë dollarë. Shumë thjeshtë mund të themi që kjo ishte përballja e dy nga kuarterbekët më të mbivlerësuar, mbipaguar në NFL. Dalton pati 301 jardë dhe një touchdown në fund që u kap falë shkathtësisë të AJ Green, ngjashëm si konvertimi i Mohamed Sanu më pas. 
Dalton si gjithnjë dështon në momentet vendimtare, kur është në presion dhe në të 3tat. Pati vetëm 4 nga 14 raste në 3tën dhe konvertoi vetëm një për 2 jardë dhe tjerat ishin depërtime. E depërtimet u mbuluan për merak nga Gio Bernard si zakonisht dhe fillestari Jeremy Hill që ishte impresionues. Bernard u angazhuar jashtëzakonisht shumë edhe në pranim, falë pasimeve të shkurtra pas murit ofanziv dhe lopatat e kohëpaskohshme. Mbrojta ishte solide, por largimi i Burfict i dëmtoi ata në pjesën e dytë.
Në anën tjetër, Ravens kanë një mbrojtje të shkëlqyeshme. Vija e parë defanzive është e mrekullueshme nën udhëheqjen e Ngatas. Por, çfarë të bësh kur ke Flaccon. Ishte një ndër ndeshjet më të dobëta të tij. Pasime të vonuara, shpesh edhe në hapësira boshe ku nuk ishte i pranishëm askush, e sidomos gabimet në vendime siç ndodhi tek fundi i pjesës së dytë. Në fund pati 345 jardë, 1 interceptim, dhe 3 sack. E shpëtoi Forsett në depërtime, dhe atë në pjesën e dytë. Pierce siç duket është mësuar të jetë rezervë. Por, nëse Forsett arrin të shfaq kësisoj performanca në çdo ndeshje, mungesa e Ray Rice s’do të jetë shumë e dukshme. 
Në pranim, Torrey Smith u aktivizua vetëm në çerekun e fundit. Steve pati disa pranime, por kryesisht u targetua Dennis Pitta. Së bashku me Pittan, Harbaugh ka edhe një alternativë tjetër të mirë në fundorët ofensivë në Owen Daniels që pati 4 pranime me 34 jardë. Sulmi nuk është pa alternativa, por Flacco duhet të marr vendime më të mençura.
Ravens do të sprovohen ndaj Pittsburgh për të parë se sa mund të jenë në garë për AFC Veri. Ngjashëm edhe Bengals do të kenë një kundërshtarë shumë më të përgatitur në Atlantan të dielën. 




Seattle – Green Bay 36-16

Seattle vlen për favoritin kryesor për titull. Sidomos kur pamë që mbrojtja e Denver akoma nuk është akomoduar. Ndaj Packers shfaqën një lojë kampioni, por jo edhe aq perfekte sa që të dominonin mysafirët pa gabimet e tyre. 
Packers u këputën nga penalltitë e panevojshme. Sidomos në të 3tat, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Dhe atë kryesisht ishin penallti që dënoheshin me 1at dhe jardë dyshifror. Mungesa e Rajit ishte e dukshme në mbrojtje, edhe pse angazhimi i Peppers përkrah Hawk e Mathews tek vijorët nuk do të duhej të përforconte atë. Ajo thjeshte u shkapërderdh nga depërtimet e Marshawn Lynch. 
Vija ofensive lejoi tre sack ndaj Rodgers që mbylli ndeshjen me 189 jardë dhe 1 TD e 1 interceptim. Eddie Lacy ishte në sfond përkundër 12 depërtimeve, duke mbetur tre jardë më i shkurtër se Starks që pati 7 depërtime për 37 jardë. Në rast se Lacy mund të gjej distancë më të madhe me numrin e depërtimeve, të jetë më efiçent, dhe Starks të kthehet në formën e SuperBowl, sulmi i Packers do të ishte shumë më rentabil këtë sezon, kur dihet që në pranim janë Nelson dhe Cobb, të dy këta me një performancë nënçmuese kundër Seahawks.
E tek Seahawks, Wilson pati 1 sack dhe 19 kompletime për 191 jardë dhe 2 touchdown, që e bën më të mirë se Rodgers. Por, ngjashëm ka edhe mbrojtjen dhe vijën ofensive më të mirë. Ajo që i jep zemër kampionëve aktual është performanca e mrekullueshme e Percy Harvin. I shëndetshëm, Harvin tregoi se çfarë mund të bëj me 41 jardë në depërtim dhe 59 jardë në pranim. Pranimi ishte në planin e dytë me Marshawn Lynch që pati 20 depërtime për 110 jardë dhe 2 touchdown. Ai thjesht kalonte me lehtësi vijën e parë defansive të Packers, e rrallëherë stopohej nga vijorët/linebackers. 
Tani Seattle do të udhëtoj në San Diego, ndërkohë Green Bay pret Jets që mëzi mposhtën Oaklandin.


Denver – Indianapolis 31-24

Colts e kanë bërë zakon të japin më shumë në pjesën e dytë pasi flenë të parën. Ngjashëm provuan të bënin edhe me Denver, por u mungoi përvoja dhe fati. 
Manning dominoi pjesën e parë për të mbyllur ndeshjen me 269 jardë dhe 3 TD. Për çudi njëherë pati sack nga mbrojtja e Colts që ishte më mirë se që e prisja. Mungesa e Morenos më ka bërë të dyshimtë në suksesin e Broncos këtë vit, pasi Manning ka dëshirë të depërtoj topin. Dhe kjo i solli 8 të 1ra derisa luante të 3tat. Montee Ball ishte në krye të detyrës me 23 bartje për 67 jardë dhe 1 TD, që i bie një mesatare prej 2.9 jardësh të zymtë. CJ Anderson, debutuesi u angazhua katër herë për 27 jardë, por në total depërtimi ishte në 102 jardë, shumë më poshtë se sa në kohët e Morenos. 
Por, befasia e kësaj jave tek Broncos ishte Sanders i ardhur nga Pittsburgh. Ai pati 77 jardë në 6 pranime, duke mos lënë të vërehej mungesa e Wes Welker. Demaryius Thomas pati 48 jardë dhe 4 pranime edhe pse ishte i targetuar plotë 11 herë. E Julius Thomas ishte i mahnitshëm me 104 jardë dhe 3 TD. Ishte ky që shkatërroi Colts-at e mi të dielën. 
Mbrojtja ishte në nivel me 48 intervenime dhe 2 interceptime të Rahim Moore. 
Në anën tjetër, Colts pa Robert Mathis do të kenë probleme. Ata përballuan mirë kundërshtarët duke bërë 46 intervenime dhe 1 sack që erdhi nga Walden. Debutuesi për Colts D’Qwell Jackson që erdhi nga Browns pati 8 intervenime, derisa siguruesi Landry ishte më i suksesshmi me 8 sosh, 7 prej të cilave ishin solo-intervenime. Linja e parë defansive ishte në nivel, duke mos lejuar shumë jardë në depërtim, njëra nga pikat më të dobëta të Colts sezonin e kaluar, derisa këndorët ishin të shkëlqyeshëm në mbulim, sidomos në pjesën e dytë.
Pjesa e parë ishte tmerr për mbrojtjen e Colts që akoma nuk dukej të jetë e sinkronizuar. E gabimet në fund të pjesës së dytë, mundësia e lëshuar për një fumble të rikuperuar, interceptim, ishin fryte të papërvojës dhe moskompnimit të ekipit. Me kalimin e sezonit mund të sanohen këto mangësi, por vetëm të mos jetë shumë vonë. 
Në sulm Luck pati 53 tentime për 35 pasime me 370 jardë. Dy interceptime u bënë pasi kishin prekur në duart e pranuesve të targetuar, që do të thotë se më shumë fajtor ishin vetëm pranuesit, se sa pasuesi. Tre herë u sack nga mbrojtja e Denver që nuk është pak, por edhe pati 19 jardë në depërtim dhe një TD, pos dy touchdown të pasuar.
Richardson pati 6 depërtime për 20 jardë. Bradshaw u angazhua, sidomos në pasimet e shkurtra, duke mbyllur me 70 jardë të pranuara në pesë pasime nga 6 targetime. TY Hilton lëshoi disa pasime të mira dhe të rëndësishme përgjatë gjithë lojës. Nicks ishte perfekt me 5 pranime dhe 1 TD, derisa Wayne u shfaq mirë pas rikuperimit nga lëndimi duke e mbyllur me 98 jardë ndeshjen. Rikthimi Dwayne Allen e ka hedhur në plan të dytë Fleenerin. Megjithatë prania e të dyve në sulm, e bën njërën nga dyshet më të mira në ligë. 
Indianapolis duhet të rikuperohet ndaj Eagles, edhe pse dinë shpesh të jenë të fjetur në ndeshje dytësore. Por, Eagles janë ndër favoritët në ligë, përkundër pjesës së parë të përgjumur ndaj Jacksonville.
Denver pritet të shkel Kansas Cityn, të cilët dëshpëruan në javën e parë ndaj Tennessee.


Dallas – San Francisco 17-28

Mos të ju mashtroj rezultati, kjo ndeshje ishte me milje larg baraspeshës që mund të tregoj rezultati. Gjithçka përfundoi qysh në çerekun e parë falë mbrojtjes së 49ers që në para-sezon nuk dukej kaq e hatashme dhe kuptohet, Tony Romos. Duhet të jesh i çmendur si Jerry Jones të besosh se Tony Romo mund të sjell një unazë.
Zakonisht ai ngulfatet në çerekun e fundit, por kësaj radhe ndodhi e kundërta. Qysh në çerekun e parë pati 2 interceptime, përfshirë një edhe në zonën finale. Romo e mbylli ndeshjen me 1 TD dhe 281 jardë, por edhe tri interceptime nga katër topat e humbur të Dallas. 
Dallas kanë një talent në DeMarco Murray i cili mbylli ndeshjen me 118 jardë dhe një touchdown. Ndërkohë në pranim, Cole Beasley duket si një shtim me vend në skuadër. Ai pati 4 pranime nga 5 topa të drejtuar kah ai me 42 jardë. Pranimet ishin në këtë regjion 40-60 jardë me Terrance Williams që pati edhe 1 TD dhe Bryant e Harris që patën 55 e 56 jardë respektivisht. Pra, ishte një distribuim i mirë, duke përfshirë edhe Murray. Witten kapi vetëm 2 nga 6 pasimet drejt tij për vetëm 14 jardë duke dëshpëruar tek Cowboys. 
Në anën tjetër 49ers e nisën furishëm pas tri penalltive të Ahmad Brooks i cili u rikuperua për dy goditje në kuarterbek dhe 1 sack më vonë në ndeshje. Reid, fillestari Cox që pati një paraqitje të mrekullueshme dhe Willis patën nga një interceptim që në total rezultuan me 48 jardë të kthyer. Pos Perrish Cox, prej fillestarëve paraqitje të shkëlqyeshme pati edhe Carlos Hyde i cili me 7 bartje pati 50 jardë dhe një touchdown duke mos lënë pikë mërzie për largimin e Tate. Frank Gore ishte solid me 66 jardë. Boldin ishte aty ku është më i miri, në të 3tat, duke e mbyllur ndeshjen me 99 jardë. Stevie Johnson i ardhur nga Bills, dhe Michael Crabtree ofruan alternativa të mira në pranim pas Vernon Davis që pati 2 TD në pjesën e parë për të mbyllur ndeshjen me 44 jardë.
Më së shumti 49ers duhet ti gëzoj mbrojtja e mirë e cila ndaj Romos nuk pati një vështirësi të dukshme. Kaepernick po depërton pak e më pak, derisa Hyde sjell alternativë të mirë në sulm. Në anën tjetër Cowboys mund të ëndërrojnë për një ditë më të mirë kur Romo të mos jetë aty. 
San Franciso ka një sprovë të një niveli krejt tjetër, më të lartë ndaj Bears të dielën në mbrëmje, ndërkohë Dallas udhëton në Tennessee, në derbin e Teksasit.

No comments:

Post a Comment