Wednesday 12 December 2012

Edhe Cleveland mposht Lakersat, Knicks dominojnë Nju Jorkun!

Kronikë amerikane nr.245 – 12 dhjetor 2012

kidd- NBA

Carmelo Anthony shënoi plotë 45 pikë në derbin e qytetit të Nju Jorkut, për tu hakmarrë për humbjen në ndeshjen e parë në Brooklyn. Melo shënoi rekordin e këtij sezoni, derisa veterani Jason Kidd shënoi treshen vendimtare 24 sekonda para fundit për të përmbyllur rikthimin fantastik të Knicks të cilët ishin në një disavantazh prej 17 pikëve gjatë ndeshjes. Kidd mbylli ndeshjen me 18 pikë.

“E urrej atë” deklaroi në formë shakaje pllejmejkeri i Nets, Deron Williams i cili përfundoi ndeshjen me 18 pikë e 10 asistime tek Nets, Andray Blatche ishte më efikasi me 23 pikë, ndërsa Reggie Evans dominoi në trapez me plotë 18 kërcime, të cilët mbuluan në maksimum mungesën e Brook Lopez të lënduar dhe Kris Humphries akoma jashtë formës së plotë me vetëm 8 minuta në parket. Ishte kjo fitorja e parë këtë vit e Knicks ndaj Nets, një rivalitet i nisur këtë sezone me zhvendosjen e këtyre të fundit në Brooklyn. Deri në fund janë edhe dy përballje të cilat do të zhvillohet në Madison Square Garden të Knicks.

kobe-cleveland Kobe Bryant shënoi plotë 42 pikë për Lakersat. Por, as kjo nuk u ndihmoi të shmangin humbjen e shtatë si mysafirë, kësaj radhe nga Cleveland. Cavaliers luajtën me të rikthyerin Kyrie Irving i cili mbylli ndeshjen me 28 pikë e 11 asistime. CJ Miles kontribuoi me 28 pikë në startin e parë të sezonit për skuadrën e Cleveland, ndërsa Anderson Varejao shënoi 20 pikë në trapez. Dwight Howard shënoi 19 pikë e 20 kërcime tek mysafirët të cilët në çerekun e tretë ishin edhe në -16 pikë, derisa akoma luajnë pa Pau Gasol dhe Steve Nash të lënduar.

Në anën tjetër, Clippers fituan kundër një skuadre që vlerësohet këtë vit më e mirë se Cleveland. Ata mposhtën Chicagon me rezultat 94-89. Blake Griffin pati 22 pikë e 10 kërcime, i ndihmuar nga, si zakonisht, Chris Paul i cili mbylli ndeshjen me 18 pikë. Carlos Boozer ishte më i miri tek vendasit me 24 pikë e 13 kërcime, të mjaftueshme për DD e 10të në 13 ndeshje që ka zhvilluar këtë sezon.

NFL

Ish-komisioneri i NFL ligës, Paul Tagliabue ka vendosur të anuloj sanksionet ndaj lojtarëve të përfshirë në skandalin e ‘dhuratave’. Në arsyetimin e tij lavdërohen masat e komisionerit aktual të ligës, Roger Goodell duke cilësuar punën e tij si një hap i drejtë në luftën për sigurinë e lojtarëve, derisa lojtarët i shfajëson duke ia lënë fajin trajnerëve dhe menaxherëve që kanë ‘udhëzuar’ gjëra të tilla ilegale, të rrezikshme për shëndetin e lojtarëve.

Goodell kishte suspenduar disa lojtarë të New Orleans Saints, dhe një pjesë të stafit përfshirë menaxherin dhe kryetrajnerin për shkak të ‘ofrimit të dhuratave’ për ata të cilët lëndojnë lojtarët kundërshtarë. Pas apelit, Goodell kishte vendosur Tagliabuen si një palë e pavarur për të vlerësuar vendimet.

MLB

ChooChoo Shin-Soo Choo është larguar nga Indians. Cleveland ka arritur një marrëveshje të përshtatshme për skuadrën duke larguar lojtarin që nuk dëshironte të qëndronte në një skuadër jo shumë efikase dhe duke marrë talente nga një marrëveshje tri palëshe.

Cleveland kanë marrë prospektin Trevor Bauer nga Arizona së bashku me hedhësit Matt Albers dhe Bryan Shaw si dhe jashtëfushorin Drew Stubbs nga Cincinati. Së bashku me Choo kanë larguar fushorin Jason Donald dhe 3.5 milionë dollarë tek Cincinnati, dhe hedhësin Tony Sipp e bazistin e parë Lars Anderson tek Arizona.Arizona ka marrë stopuesin Didi Gregorius nga Cincinatti.

30 vjeçari Choo, pjesa kryesore e këtij transferimi vitin e kaluar pati mesatare .283 me 16 homer, 67 RBI në 155 ndeshje të zhvilluara.

Kevin Youkilis ka arritur marrëveshje verbale me New York Yankees. Bazisti i tretë i cili sezonin e kaluar u transferua nga Boston Red Sox tek Chicago White Sox, pritet të marrë 12 milionë dollarë për një vit. Youkilis, i cili në mars do të jetë 34 vjeç, vitin e kaluar e mbylli me mesatare .235, 19 homer dhe 60 RBI në 111 ndeshje, derisa pritet të zëvendësoj Alex Rodriguezin e lënduar i cili pritet ti nënshtrohet operimit që do ta mbajë jashtë për pjesën më të madhe të sezonit të ardhshëm.

NHL

Liga profesioniste e hokejit në akull, NHL, ka anuluar të gjitha ndeshjet në program deri me 30 dhjetor 2013. Pas këtij vendimi, numri i ndeshjeve të anuluara arrin në 526 apo 43% e ndeshjeve të sezonit që ishte dashur të niste me 11 tetor 2013. Marrëveshje e re për Kontratën Kolektive ndërmjet pronarëve dhe hokejistëve nuk është afër pas dështimit të negociatave me ndërmjetësimin e palës së tretë. Sipas të gjitha gjasave këtë vit kalendarik nuk do të shohim fare hokej mbi akull.

Rezultatet dhe renditjet

NBA

Brooklyn – New York 97-100

Cleveland – LA Lakers 100-94

Detroit – Denver 94-101

New Orleans – Washington 70-77

Chicago – LA Clippers 89-94

No comments:

Post a Comment